Gjyqësori dhe, në fund të fundit, vetëm gjyqësori mund të përcaktojë përfundimisht kush del fitimtar në konfliktin e pashmangshëm ndërmjet individëve; ndërmjet qeverisë dhe të qeverisurve, duke përfshirë edhe ata që akuzohen nga shteti se kanë shkelur ligjin; ndërmjet individëve dhe shoqërive dhe ndërmjet organizatave, si publike ashtu edhe private.
Atmosfera që rrethon gjykatat dhe ngjarjet në gjykata është formale dhe e pazakontë për shkak se gjykatat janë unike. Ato zgjidhin konflikte duke zbatuar ligjin mbi faktet e çështjeve të veçanta, në mënyrë të pavarur dhe të paanshme.
Kur ligji zbatohet mbi faktet që sillen në gjykatë, çdo palë ka të drejtën absolute për të pasur një arbitër që është i pavarur nga palët e asaj çështjeje dhe avokatët e tyre.
Proçeset gjyqësore duhet të reflektojnë qëllimet e gjykatës, siç janë drejtësia individuale në çështje gjyqësore individuale, dukshmëria e drejtësise individuale në çështjet gjyqësore individuale, sigurimi i një vendi gjykimi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, mbrojtja e individëve ndaj përdorimit arbitrar të pushtetit qeverisës si dhe regjistrimi i statusit ligjor. Çështjeve gjyqësore individuale duhet t'u jepet vëmendje individuale.
Ligji duhet të zbatohet drejt për çdo çështje. Pavarësisht nga statusi ekonomik, për të gjithë duhet të ekzistojë akses i barabartë në gjykatë.
Çdokush që vjen në gjykatë dhe para saj duhet të trajtohet me respekt, drejtësi dhe në mënyrë të barabartë. Proceset gjyqësore dhe zbatimi i ligjit mbi faktet në çështjet individuale duhet të jenë të qendrueshme dhe të parashikueshme.