Tiranë më 28.01.2019
N J O F T I M
Qëllimi themelor i ligjit nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit” është të sigurojë një publik të informuar në një kohë sa më të shpejtë dhe një administratë llogaridhënëse. Këto janë jetike për funksionimin e një shoqërie demokratike dhe paraqitet si domosdoshmëri për të sfiduar korrupsionin dhe për të siguruar përgjegjshmërinë e zyrtarëve.
Një nga institucionet e shoqërisë civile, dhe më konkretisht Qendra Res Publica, me mbështetjen e Civil Right Defenders, ka zhvilluar projektin “Promovimi i aksesit të qytetarëve në të drejtën e informimit”, duke monitoruar zbatimin e këtij ligji. Viti 2018 shënon vitin e katërt që kjo qendër ka kryer testime të praktikës administrative apo gjyqësore për të vendosur dhe rishikuar kufijtë e zbatimit të ligjit, si dhe praktikës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit, duke krijuar një bazë të mirë të dhënash për të sjellë një vlerësim krahasues mbi efektivitetin e të drejtës së informimit në Shqipëri gjatë periudhës që nga viti 2014 e deri më sot.
Ky monitorim është kryer duke i ndarë institucionet në 5 kategori kryesore: (1) institucione kushtetuese dhe të pavarura; (2) institucione qendrore të pushtetit ekzekutiv; (3) institucione të vartësisë të pushtetit ekzekutiv; (4) institucione të pushtetit vendor; (5) institucione të pushtetit gjyqësor.
Përmes një metodologjie komplekse (bashkëlidhur do të gjeni raportin) Qendra Res Publica ka vlerësuar Gjykaten e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si institucionin më transparent i kategorisë së institucioneve të pushtetit gjyqësor.