Kreu IV

    Liritë dhe të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore

Neni 49

  1. Secili ka të drejtë të fitojë mjetet e jetesës së tij me punë të ligjshme, që e ka zgjedhur ose pranuar vetë. Ai është i lirë të zgjedhë profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit të vet profesional.
  2. Të punësuarit kanë të drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës.

Neni 50

Të punësuarit kanë të drejtë të bashkohen lirisht në organizata sindikale për mbrojtjen e interesave të tyre të punës.

Neni 51

  1. E drejta e të punësuarit për grevë që ka të bëjë me marrëdhëniet e punës, është e garantuar.
  2. Kufizime për kategori të veçanta të punësuarish mund të vendosen me ligj për t'i siguruar shoqërisë shërbimet e domosdoshme.

Neni 52

  1. Kushdo ka të drejtën e sigurimeve shoqërore në pleqëri ose kur është i paaftë për punë, sipas një sistemi të caktuar me ligj.
  2. Kushdo, kur mbetet pa punë për shkaqe të pavarura nga vullneti i tij dhe kur nuk ka mjete të tjera jetese, ka të drejtën e ndihmës në kushtet e parashikuara me ligj.

Neni 53

  1. Kushdo ka të drejtë të martohet dhe të ketë familje.
  2. Martesa dhe familja gëzojnë mbrojtjen e veçantë të shtetit.
  3. Lidhja dhe zgjidhja e martesës rregullohen me ligj.

Neni 54

  1. Fëmijët, të rinjtë, gratë shtatzëna dhe nënat e reja kanë të drejtën e një mbrojtjeje të veçantë nga shteti.
  2. Fëmijët e lindur jashtë martese kanë të drejta të barabarta me të lindurit nga martesa.
  3. Çdo fëmijë ka të drejtë të jetë i mbrojtur nga dhuna, keqtrajtimi, shfrytëzimi dhe përdorimi për punë, e veçanërisht nën moshën minimale për punën e fëmijëve, që mund të dëmtojë shëndetin, moralin ose të rrezikojë jetën a zhvillimin e tij normal.

Neni 55

  1. Shtetasit gëzojnë në mënyrë të barabartë të drejtën për kujdes shëndetësor nga shteti.
  2. Kushdo ka të drejtë për sigurim shëndetësor sipas procedurës së caktuar me ligj.

Neni 56

Kushdo ka të drejtë të informohet për gjendjen e mjedisit dhe për mbrojtjen e tij.

Neni 57

  1. Kushdo ka të drejtën për arsimim.
  2. Arsimi shkollor i detyrueshëm caktohet me ligj.
  3. Arsimi i mesëm i përgjithshëm publik është i hapur për të gjithë.
  4. Arsimi i mesëm profesional dhe i lartë mund të kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie.
  5. Arsimi i detyrueshëm, si dhe arsimi i mesëm i përgjithshëm në shkollat publike është falas.
  6. Nxënësit dhe studentët mund të arsimohen edhe në shkolla jopublike të të gjitha niveleve, të cilat krijohen e funksionojnë në bazë të ligjit.

Autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike janë të garantuara me ligj.

 

Neni 58

  1. Liria e krijimit artistik dhe e kërkimit shkencor, vënia në përdorim si dhe përfitimi prej arritjeve të tyre janë të garantuara për të gjithë.
  2. E drejta e autorit mbrohet me ligj.