Roli i Kryetarit të Gjykatës

Në çdo Gjykatë, drejtimi dhe organizimi i veprimtarisë së Administratës Gjyqësore bëhet nga Kryetari i Gjykatës, Zëvendëskryetari dhe Kancelari.

Kryetari i Gjykatës, megjithëse është një gjyqtar si të gjithë të tjerët, ka edhe disa funksione themelore për mbarëvajtjen e punëve në Gjykata. Kryetari i Gjykatës përfaqëson gjykatën në marrëdhëniet me të tretët. Ai/ajo në fillim të çdo viti gjyqësor përcakton ndarjen e gjyqtarëve në Dhoma Penale e Civile dhe në seksione. Kryetari i Gjykatës bën ndarjen e gjyqtarëve në trupa gjykues, mbikqyr proçesin e organizimit dhe dokumentimit të ndarjes së cështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit.

Në fillim të çdo muaji bën planifikimin e gjyqtarëve për gjykimet me objekt vlerësim i arrestit në flagrancë apo ndalimit dhe caktimin e masave të sigurimit, sipas rendit alfabetik, me bazë mbiemrin. Në bashkëpunim me Kancelarin e Gjykatës ndjek ecurinë e dorëzimit të dosjeve gjyqësore të përfunduara në sekretarinë gjyqësore në respektim të afateve proçeduriale të parashikuara nga ligji.

Kryetari i Gjykatës planifikon dhe realizon analiza pune periodike ose tematike me gjyqtarët si dhe me strukturat e administratës gjyqësore. Ai siguron ambient të veçantë brenda Gjykatës për studimin e dosjeve gjyqësore nga avokatët, prokurorët, ekspertët, përfaqësuesit e palëve dhe personat që e kanë këtë të drejtë, shpall listën e ekspertëve të licensuar sipas fushave përkatëse, përcakton orarin e pritjes së popullit dhe miraton orarin e shërbimëve që përmbushen nga strukturat e Administratës Gjyqësore, emëron dhe shkarkon punonjësit e Administratës Gjyqësore të Gjykatës, bën të njohura publikisht probleme të parashtruara nga Sektori a Zyra për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median si dhe ndjek disiplinën në punë të gjyqtarëve dhe të punonjësve të tjerë të gjykatës dhe për shkeljet e konstatuara nga gjyqtarët njofton Ministrin e Drejtësisë ndërsa për punonjësit e tjerë të Administratës Gjyqësore vendos për marrjen e masave disiplinore sipas ligjit.

Kancelari

Megjithëse figura qendrore e Gjykatës mbetet Kryetari i saj, Kancelari kryen funksione të rëndësishme në organizimin dhe kontrollin e veprimtarisë së përditshme të Sekretarisë Gjyqësore si dhe të sektorëve a zyrave të tjera që bëjnë pjesë në strukturën e Gjykatës. Në Gjykatat e vogla, Kancelari ushtron dhe përmbush edhe detyra të Sekretarit Gjyqësor dhe të Marrëdhënieve me Publikun dhe Median.

Kancelari, merr masa dhe kujdeset për krijimin e kushteve normale të nevojshme administrative për mbështetjen dhe realizimin e gjykimit. Kancelari është personi i cili kujdeset për afishimin në ambientet e paracaktuara të Gjykatës të datave të gjykimeve dhe të akteve proçeduriale të parashikuara nga ligji.

Kancelari kujdeset gjithashtu për çështjet e etikës dhe paraqitjes së jashtme të personelit të Administratës Gjyqësore, gjatë dhe jashtë pjesëmarrjes në gjykim si dhe për respektimin e rregullave lidhur me solemnitetin në gjykim. Kancelari është figura qendrore e Gjykatës përsa i përket marrjes apo dëgjimit të ankesave për shkelje të së drejtës së publikut për t'u informuar apo për shërbime të pakryera nga Administrata e Gjykatës.

Përveç kompetencave të mësipërme administrative, Kancelari ka edhe disa kompetenca proçeduriale si p.sh. për organizimin e ndarjes së çështjeve gjyqësore nëpërmjet shortit të hapur në prani të gjyqtarëve duke bërë edhe dokumentimin e këtij proçesi, për realizimin e marrëdhënieve proçeduriale me Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë.

Administrata Gjyqësore në Gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Apelit përbëhet nga:

Kancelari

Sekretaria Gjyqësore

Sekretari i Seancës

Nëpunësi Gjyqësor

Sektori ose Zyra e Arkivit

Sektori ose Zyra për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median

Sektori ose Zyra e Buxhetit

Sektori ose Zyra e Administratës Ndihmëse

Sekretaria e Gjykatës

Sekretaria e Gjykatës pranon dokumentet dhe aktet proçeduriale. Ajo shpërndan paditë pas hedhjes së shortit, merr në dorëzim dosjet pas përfundimit të gjykimit dhe bën kalimin në Arkivë të dosjeve gjyqësore.

Në fushën penale, Sekretaria e Gjykatës mban Rregjistrin Penal ku rregjistrohen menjëherë kërkesat për gjykim që vijnë nga organi i Prokurorisë si dhe kërkesat për gjykim nga të dëmtuarit akuzues, Rregjistrin Penal Ushtarak ku rregjistrohen kërkesat penale ushtarake të dërguara për gjykim nga Organi i Prokurorisë, Indeksin Alfabetik të çështjeve penale ku shënohet identiteti i palëve, Rregjistrin e Vendimeve Penale, etj.

Në fushën civile, Sekretaria e Gjykatës mban Rregjistrin Themeltar Civil ku rregjistrohen të gjitha kërkesë-paditë civile të paraqitura për gjykim, Indeksin Alfabetik të çështjeve civile që plotësohet sipas shkronjave të alfabetit dhe shënohet emri dhe mbiemri i çdo paditësi dhe të padituri, Rregjistrin e Vendimeve Civile ku shënohen të gjitha vendimet civile me numër rendor, data e dhënies së vendimit, emri i gjyqtarit, emrat e palëve, objekti dhe numri i seancave, Rregjistrin e personave të cilëve u është hequr, kufizuar ose kthyer zotësia për të vepruar, Rregjistrin e Shoqërive Tregtare, Rregjistrin e Personave Fizikë, Rregjistrin e Organizatave Jo-Qeveritare, Rregjistrin e Partive Politike, etj.

Sekretari Gjyqësor

Sekretari Gjyqësor ushtron detyra proçeduriale, të parashikuara nga dispozita të Proçedurës Civile dhe Penale si dhe dispozita proçeduriale të parashikuara me ligj të veçantë. Sekretari gjyqësor për realizimin e funksionit proçedurial ushtron edhe veprimtari administrative.

Në Gjykatat me volum të madh pune të përcaktuar nga Ministri i Drejtësisë, ku ka më shumë se një sekretar gjyqësor, njëri prej tyre bën edhe organizimin dhe ndarjen e detyrave midis sekretarëve gjyqësorë, si dhe koordinon punën me subjektet e tjera të Administratës Gjyqësore.

Marrëdhëniet me Publikun dhe Median

Pranë çdo Gjykate funksionon edhe Sektori ose Zyra për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median. Kjo zyrë e ushtron veprimtarinë e saj nën kujdesin e Kancelarit të Gjykatës dhe ka për objekt të veprimtarisë sa vijon:

Informimi i Publikut dhe Medias për veprimtarinë e Gjykatës

Promovimi i imazhit të Gjykatës dhe punonjësve të saj kundrejt publikut

Administrimi i marrëdhënieve të Gjykatës me Publikun

Mbrojtja e Gjykatës dhe punonjësve të saj nga çdo akuzë publike

Organizimi i informimit të brendshëm në Gjykatë

Marrja e ankesave nga Publiku dhe Media për mosrespektimin e kërkesave të tyre nga personeli i Gjykatës

Krijimi i kushteve lehtësuese për marrjen e informacionit nga Publiku në mënyrë të saktë, të plotë, të përshtatshme e të shpejtë të informacionit të kërkuar

Përgatit dhe vendos shënja për orientimin e Publikut gjatë lëvizjeve të tyre në Gjykatë si dhe kujdeset për bërjen publikë të informacioneve që vihen në dispozicion të Publikut pa kërkesë

Gjithashtu, Sektori ose Zyra për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median kujdeset dhe merr masa për përgatitjen dhe bërjen publike të informacioneve lidhur me :

vendet dhe emrat e punonjësve nga të cilët Publiku mund të marrë informacion, të paraqesë kërkesa apo të marrë përgjigje;

proçedurat e punës së Gjykatës dhe gjyqtarëve;

shpjegimet e punës së atyre punonjësve të Gjykatës puna e të cilëve ka lidhje me Publikun dhe Mediat;

afatet e ndryshme që kanë lidhje me punën në Gjykatë;

listat e gjyqeve.

Në Gjykatat e mëdha si ajo e Tiranës, Durrësit, Korçës, Shkodrës, etj. ekziston edhe pozicioni i Zëdhënësit të Gjykatës i cili varet direkt nga Kryetari i Gjykatës dhe Kancelari. Në Gjykatat e vogla ky funksion mbulohet nga Kancelari i Gjykatës