Mirësevini në faqen e Gjykatës
së Shkallës së Parë të Juridiksionit
të Përgjithshëm Tiranë



Regjistrimi i Shoqerive

RegjistrimiIShoqerive




Regjistrimi i Shoqerive



Aktiviteti jofitimprurës 

Në 7 maj 2001 Kuvendi i Shqipërisë aprovoi dy ligje shumë të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë civile shqiptare. Këto janë ligji nr. 8788, "Për Organizatat Jo Fitimprurëse" dhe ligji nr. 8789, "Për Regjistrimin e Organizatave Jo Fitimprurëse". Në mënyrë shumë të përmbledhur këto dy ligje rregullojnë këto pesë aspektë të operimit të organizatave jofitimprurëse dhe konkretisht:                   

  • themelimin, i cili nënkupton krijim ose formim, ngritje nga e para të një organizate. Vlerë ka të përmendet se themelimi në esencën e tij është një akt vullneti. Është pikërisht vullneti i personave fizikë/personit fizik që sjell si pasojë krijimin e organizatës jofitimprurëse dhe e bën atë të aftë të marrë pjesë në marrdhënie juridike duke shfaqur një vullnet të vetin që dallohet nga ai i themeluesve;
  • regjistrimin, që ka të bëjë me tërësinë e veprimeve që duhet të kryhen dhe procedurave që duhet të zbatohen për legalizimin e personit juridik të krijuar, legalizim që, siç do të shohim më poshtë bëhet nga Gjykata, vendimi i së cilës ka vlerën e një fakti juridik me rëndësi konstitutive për subjektin e këtij ligji. Regjistrimi ka për organizatën jofitimprurëse po aq rëndësi sa dhe deklarimi i vullnetit për themelimin e tyre. Organizata krijohet si person juridik, si pasojë e vërtetimit të një fakti juridik kompleks të përbërë nga një veprim juridik - akti i themelimit dhe nga një akt juridik i kategorisë së vendimeve të Gjykatës;
  • funksionimin, që nënkupton mënyrën e kryerjes apo të ushtrimit të një veprimtarie. Funksionimi ka të bëjë me mënyrën e marrjes së vendimeve dhe të realizimit të tyre;
  • organizimin, i cili nënkupton mënyrën e brendshme të ndërtimit të organizatës. Në komentin e dispozitave pasardhëse do të shohim se një pjesë e organeve të organizatave jofitimprurëse, sidomos organet më të larta vendimmarrëse, janë të përcaktuara nga ligji, i cili gjithashtu përcakton dhe përbërjen dhe kompetencat e tyre. Ndërkohë ligji u lë liri themeluesve që krahas këtyre organeve të parashikojnë në statut dhe organe të tjera të cilat ata i mendojnë të nevojshme për realizimin sa më efikas të qëllimeve të organizatës;
  • veprimtarinë, e cila nënkupton aktivitetin, punën në një ose disa fusha të caktuara të jetës sociale. Veprimtaria është e lidhur ngushtë me qëllimet e organizatës dhe është në fakt mënyrë për realizimin e tyre. Karakteristikë tjetër e veprimtarisë së organizatave jofitimprurëse është qenia e kufizuar gjë që i përgjigjet karakterit të kufizuar të zotësisë juridike dhe zotësisë për të vepruar të organizatave jofitimprurëse dhe personave juridikë në përgjithësi;

Siç vihet re që nga titujt e këtyre ligjeve, termi organizata joqeveritare i përdorur rëndom në gjuhën e përditshme nuk ka gjetur vend në to. Në përfundim të një debati të gjatë mëdyshja e hartuesve të ligjit u zgjidh në favor të termit organizata jofitimprurëse, i cili u gjykua se përfaqëson më me besnikëri thelbin e këtyre organizatave.

Termi organizata joqeveritare në fakt mbulon edhe shumë organizata private të cilat duke qenë të motivuara nga fitimi kanë pak gjëra të përbashkëta më organizatat jofitimprurëse në kuptimin e këtij ligji. Me sa duket termi është përdorur për të diferencuar "organizatat jofitimprurëse" nga pjesa tjetër e personave juridikë. Dhe është pikërisht termi "organizatë" që i veçon personat subjekte të këtij ligji nga personat juridikë publikë, të cilët sipas Kodit Civil janë institucione, ndërmarrje shtetërore ose ente të tjera publike. Organizatat, ose të quajtura ndryshe formacionet kolektive private bëjnë pjesë sipas klasifikimit të mësipërm dhe gjithashtu sipas doktrinës, në kategorinë e personave juridikë privatë.

Termi "jofitimprurëse" përdoret për të bërë dallimin brenda kategorisë së personave juridikë privatë, duke i dalluar nga shoqëritë tregtare si dhe nga entet me karakter privat, qëllimi i krijimit dhe i veprimtarisë së të cilëve është realizimi i fitimit. Pra, duke iu referuar subjekteve, mund të themi se Ligji i shtrin efektet e tij mbi personat juridikë privatë të cilët nuk kanë për qëllim të veprimtarisë së tyre realizimin e fitimit. Kjo, pak a shumë, përbën dhe përmbajtjen e konceptit "organizatë jofitimprurëse" ose, e thënë ndryshe, përkufizimin e tij.