Mirësevini në faqen e Gjykatës
së Shkallës së Parë të Juridiksionit
të Përgjithshëm Tiranë



Procesi Civil

Procesi civil në gjykatë




Procesi Civil



Proçesi gjyqësor civil zhvillohet në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Proçedurës Civile. Ai fillon në bazë të investimit që i bëhet Gjykatës nga një person fizik ose juridik. Të investosh Gjykatën do të thotë t'i drejtohesh asaj me një kërkesë e cila quhet padi dhe me të cilën kërkon mbrojtjen e një të drejte ose interesi të ligjshëm, i cili është shkelur ose cënuar nga persona të tjerë. Personi që i drejtohet Gjykatës quhet paditës. Personi i cili ka shkelur ose cënuar të drejtën e pretenduar quhet i paditur.

Gjykata, pasi njihet me padinë, kontrollon legjitimitetin e palëve. Të kontrollosh legjitimitetin e palëve do të thotë që të verifikosh nëse padia është ngritur nga personi të cilit i përket e drejta dhe nëse ështe ngritur ndaj atij që ka cënuar apo shkelur të drejtën.

Pas kalimit të kësaj faze, gjyqtari bën përpjekje për zgjidhjen e çështjes me pajtim. Kjo do të thotë që ai i fton palët të bisedojnë për të arritur një marrëveshje e cila do të zgjidhte çështjen, duke kënaqur të dyja palët dhe duke shmangur proçedurat e mëtejshme gjyqësore. Në rast se kjo gjë arrihet, marrëveshja e pajtimit pasqyrohet në proçesverbalin e seancës, i cili nënshkruhet nga palët dhe nga gjyqtari. Mbas kësaj gjyqtari jep vendim për miratimin e pajtimit.

Në rast se çështja nuk arrihet të zgjidhet me pajtim, atëherë gjykata i fton palët të paraqesin pretendimet e tyre rreth çështjes në gjykim. Në seancë gjyqësore mbahet proçesverbal në të cilin pasqyrohen shpjegimet e palëve, provat që merren si dhe vendimet dhe urdhërat që shpall Gjykata. Kryetari i seancës gjyqësore drejton hetimin gjyqësor dhe bisedimet e palëve në përputhje me rregullat e përcaktuara në Kodin e Proçedurës Civile. Kur ndonjë nga palët bën vërejtje ndaj veprimeve të kryetarit ose të ndonjërit nga anëtarët e trupit gjykues, duke pretenduar se u kufizohen ose u shkelen të drejtat e tyre këto duhet të pasqyrohen në proçesverbal.

Gjatë zhvillimit të proçesit gjyqësor civil Gjykata me vendim lejon palët të provojnë faktet mbi të cilat i bazojnë kërkimet dhe pretendimet e tyre, duke paraqitur në Gjykatë vetëm ato prova që janë të domosdoshme dhe që kanë lidhje me çështjen në gjykim. Në Kodin e Proçedurës Civile njihen këto lloje provash: dëshmitarët, shkresat, filmat fotografike kinematografike dhe regjistrime të tjera, pohimet e palëve, kqyrja e personave, sendeve dhe kqyrja në vend, eksperimenti. Në rast se një provë rrezikon të zhduket gjykata merr vendim për sigurimin e saj. Në çështje për të cilat kërkohen njohuri të posaçme në fushën e shkencës teknikës e në fusha të tjera, gjykata vetë ose me kërkesën e palëve cakton ekspert. Gjykata pasi dëgjon palët dhe provat e paraqitura nga ato si dhe pasi shqyrton çështjen në tërësi merr vendim me të cilin e pranon tërësisht apo pjesërisht padinë si të bazuar në prova e në ligj ose vendos rrëzimin e saj si të pabazuar në prova ose në ligj.

Ndaj vendimit të Gjykatës palët kanë të drejtë të bëjnë ankim në Gjykatën e Apelit. Gjykata e Apelit gjatë shqyrtimit të çështjes mban parasysh, për aq sa janë të zbatueshme, dispozitat mbi proçedurën e gjykimit në shkallë të parë të parashikuara në Kodin e Proçedurës civile. Me kërkesën e palëve ose edhe kryesisht Gjykata e Apelit mund të përsëritë tërësisht apo pjesërisht hetimin gjyqësor. Në shqyrtimin gjyqësor mund të lexohen aktet e gjykimit të shkallës së parë. Gjykata e Apelit ka të drejtë të marrë edhe prova të reja.

Gjykata e Apelit pasi shqyrton çështjen vendos:

  1. Lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së shkallës së parë
  2. Ndryshimin e vendimit
  3. Prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes
  4.  Prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e rrethit në rastet e parashikuara në këtë kod.