Raport i Analizes Vjetore te Punes - 2023
ANALIZA VJETORE E PUNËS – 2023
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në datën 17 Maj 2024, ka zhvilluar mbledhjen e përgjithshme të trupës gjyqësore me rastin e prezantimit të Analizës Vjetore të punës për vitin 2023.
Të ftuar kanë qënë dhe kanë marrë pjesë edhe zëvendës kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor Z. Ilir Rusi, ashtu edhe njëra prej anëtareve Znj. Irena Plaku.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është gjykata më e madhe në vend e përbërë nga dy dhoma, Civile dhe Penale, në të cilën aktualisht ushtrojnë detyrën 49 gjyqtarë, të cilët me shumë profesionalitet, përkushtin dhe sakrifica përballojnë një ngarkesë sikurse dhe vështirësi pune tepër të lartë tashmë prej disa vitesh. Kjo për shkak edhe të reduktimit të ndjeshëm të numrit të gjyqtarëve si pasojë e Proçesit të Rivlerësimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorrëve në Republikën e Shqipërisë, që prej vitit 2018 e në vazhdim.
Zëvendës Kryetari i Gjykatës, vlerësoi punën e bërë përgjatë një viti (2023), si dhe theksoi se është përballuar një volum shumë i madh pune pavarësisht numrit tepër të ulët të gjyqtarëve në këtë gjykatë përgjatë vitit 2023.
Ndonëse tashmë, është vijuar me emërimin, apo transferimin e gjyqtarëve të rinj pranë kësaj gjykate, ende vendet vakante janë të shumtë në numër, ndaj lind si nevojë dhe domosdoshmëri, plotësimi i tyre me gjyqtarë, duke e plotësuar organikën ligjore.
Ajo çfarë në veçanti është konstatuar dhe vërehet përgjatë ecurisë së punës në vitin 2023, është fakti se ndonëse numri i gjyqtarëve aktualisht pjesë efektive e organikës së trupës gjyqësore pranë kësaj gjykate, është sa gjysma e kapacitetit të parashikuar në ligj (80 gjyqtarë në total), puna që përballohet prej këtij numri thuajse të përgjysmuar gjyqtarësh (Dhoma Civile me 31 gjyqtarë dhe Dhoma Penale me 18 gjyqtarë) është vetëm në rritje.
Gjatë vitit 2023, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, rezultojnë të jenë gjykuar/shqyrtuar (me vendim përfundimtar) = 51.158 çështje gjyqësore.
Rjedhimisht rezulton se gjyqtarët në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë përgjatë vitit 2023, ndonëse shumë më të pakët në numër, kanë arritur që të gjykojnë 100 % numrin e të gjitha çështjeve të ardhura për gjykim në vitin 2023. Pra me një produktivitet absolutisht maksimal.
Vlen të theksohet fakti se kjo është një sakrificë e madhe e e bërë tashmë nga trupa gjyqësore, duke përballuar një punë të jashtëzakonshme në kushte jo normale pune.
Ky fakt, dhe këto rrethana u konstatuan dhe u pohuan qartazi në këtë mbledhje edhe nga zëvendës kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Zoti Ilir Rusi, në fjalën e mbajtur prej tij në këtë takim, i cili përgëzoi të gjithë trupën gjyqësore për punën e jashtëzakonshme të përballuar prej saj përgjatë vitit 2023.
Përveç ngarkesës së çështjeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë përballuar dhe komandimet e gjyqtarëve në Gjykatat e tjera të juridiksionit të përgjithshëm, si dhe në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar.
Zyra për Marrëdhëniet me Median dhe Publikun pranë kësaj gjykate, tashmë prej datës 6 Mars 2023, i është përgjigjur me informacion medias dhe publikut me anë të komunikimit interaktiv, të përditshëm dhe që kryhet në kohë reale, duke qënë shumë pranë interesimit publik dhe mediatik lidhur me veprimtarinë dhe punën e Gjykatës, si dhe duke përmbushur me shumë standart nivelin e komunikimit dhe transparencën në mënyrë të drejtëpërdrejtë, të shpejtë, efektive, dhe në respektim me të gjitha detyrimet dhe normat ligjore në fuqi.
Nga ana e trupës gjyqësore sikurse edhe nga zëvendës kryetari i Gjykatës, është ngritur dhe evidentuar nevoja e padiskutueshme dhe imediate lidhur me infrastrukturën dhe ambjentet e duhura, të mjaftueshme dhe dinjitoze (salla gjyqi, zyra, hapësira komode dhe të mjaftueshme ku palët dhe qytetarët marrin shërbimet përkatëse në ambjentet e gjykatës) ku gjyqtarët duhet të kryejnë punën e tyre, dhe ku qytetarët duhet të marrin shërbimin e duhur, brenda një afti të arsyeshëm.
Gjithashtu, është theksuar domosdoshmëria e pranisë së këshilltarëve ligjore, shtimi dhe kualifikimi i duhur i stafit mbështetës (sekretarisë gjyqësore), nevoja e marrjes së masave lidhur me sigurinë në gjykatë, e të tjera, për të cilat anëtarët e pranishëm të Këshillit të Lartë Gjyqësor, theksuan përpara trupës gjyqësore angazhimin e tyre maksimal në manaxhimin dhe zgjidhjen e mëtejshme të gjithë këtyre nevojave dhe problematikave të konstatuara, çfarë ndikojnë domosdoshmërisht në punën e përditshme të gjyqtarëve.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
Zyra për Marrëdhëniet me Publikun dhe Median