Mirësevini në faqen e Gjykatës
së Shkallës së Parë të Juridiksionit
të Përgjithshëm Tiranë



Historik mbi Administrimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshem

Datë: 14.02.2024

     gjshpjpt - logo

 

H I S T O R I K

NË ADMINISTRIMIN E GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TIRANË

 

Realizimi i kësaj rubrike, ka patur për qëllim për të evidentuar historikun në administrimin dhe drejtimin institucional të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në dekada e ndër vite, nga gjyqtarë të ndryshëm të cilët kanë kryer njëkohësisht edhe detyrën e Kryetarëve pranë kësaj gjykate.

Në këtë rubrikë pasqyrohen emrat, mbiemrat, CV-të profesionale, si dhe fotot personale (të disponueshme), të secilit prej gjyqtarëve apo ish gjyqtarëve të cilët në periudha të ndryshme kanë kryer njëkohësisht edhe funksionin e Kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

 

Flamur Kapllani

Flamur Kapllani

Kryen detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë që prej datës 01.04.2010, dhe prej muajit mars të vitit 2022 e në vazhdim, ushtron funksionin e Zëvendës Kryetarit pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Në vitet 1997-2000 u emërua ndihmës gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Skrapar.

Në vitet 2000-2007 u emërua dhe ushtroi profesionin e Gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mirditë.

Gjatë periudhës 2007 -2010, ka kryer detyrën e Gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës.

Prej vitit 2008 deri në vitin 2010, mbajti pozicionin e Kryetarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kukës.

 

Petrit Como

Petrit Çomo

Ka ushtruar funksionin e ZV/Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për periudhën 06.03.2019 – Mars 2022.

Është diplomuar në Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës në vitin 1995.

Gjatë viteve 1996 – 2000, është emëruar ndihmës gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Në vitin 2000 u emërua gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Dhoma Penale.

Petrit Çomo ka mbajtur detyrën e  ZV/Kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për gjatë viteve 2006 -2008 dhe 06.03.2029-10.06.2019.

Në vitet 2015 – 2018, ka ushtruar njëkohësisht edhe detyrën e Anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Aktualisht, Petrit Çomo është gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale.

 

Enkeledi Hajro

Ka ushtruar funksionin e kryetares pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për periudhën 09.11.2016 – 10.06.2019.

Është diplomuar në Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës në vitin 1997. Nga viti 1997-2000, përfundoi studimet pranë Shkollës së Magjistraturës, ku mori dhe titullin “Magjistrat”. Ushtroi funksionin e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, nga shtatori i vitit 1999 deri në Korrik të vitit 2003. Në periudhat korrik 2003, deri në shkurt të vitit 2006, mbajti pozicionin e Këshilltarit Ligjor në Gjykatën e Lartë. Në shkurt të vitit 2006, u emërua Drejtore e Inspektimit Gjyqësor në Ministrinë e Drejtësisë, pozicion të cilin e mbajti deri në Korrik të vitit 2006. Nga Korriku 2006, deri në shkurt 2009, u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Çështjeve të Drejtësisë, për kontrollin dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë së organeve në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Në shkurt të vitit 2009 - 2011, u emërua Drejtuese e Zyrës së Përfaqësimit në Gjykatat e Huaja, Ndërkombëtare dhe Arbitrazhit Ndërkombëtar në Avokaturën e Përgjithshme të Shtetit. Në korrik të vitit 2011 - 2012, emërohet Drejtor i Kabinetit të Ministrit të Drejtësisë. Në 2012 - 2013, është emëruar më pas Drejtor Kabineti i Ministrit të Brendshëm.

Në korrik të vitit 2014, emërohet gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Dhoma Penale. Aktualisht, është e angazhuar në konsulencë dhe përfaqësim ligjor si avokate dhe ndërmjetëse.

 

Fatri Ismailaj

Fatri Islamaj

Ka ushtruar funksionin e kryetarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për periudhën 07.08.2012 – 08.11.2016.

Fatri Islamaj përfundoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë në vitin 2002. Mori Titullin Magjistrat, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës në vitin 2006. Në vitin 2006 u emërua gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, ku qëndroi deri në prill të vitit 2010. Nga muaji prill 2010 deri në nëntor 2016, është emëruar gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga viti 2006 deri në vitin 2009 përfundoi studimet master pranë Departamentit të së Drejtës Civile, Fakulteti i Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës. Në nëntor të vitit 2021, është diplomuar me gradën shkencore “Doktor” në fushën e së Drejtës Tregtare. Që prej vitit 2015 dhe aktualisht mban pozicionin e Pedagogut të Jashtëm  në Shkollën e Magjistraturës. Fatri Islamaj ka qënë gjithashtu mbajtës i dy mandateve (periudhat mars 2004-mars 2007 si dhe 2010-2014), si Anëtar i Këshillit Drejtues pranë Shkollës së Magjistraturës. Nga tetori i vitit 2004 deri në tetor 2008 është angazhuar me mësimdhënien si Pedagog i Jashtëm pranë Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës.

Nga janari, deri në dhjetor të vitit 2019, ishte Anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Prej muajit nëntor të vitit 2016, Fatri Islamaj është gjyqtar i Gjykatës se Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

 

Artan Zeneli

Artan Zeneli

Ka ushtruar funksionin e kryetarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për periudhën 08.07.2009 - 27.07.2012.

Gjatë periudhës 1991-1992 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë. Në periudhën 1993-1995, ka ushtruar detyrën e zëvendës kryetarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Gjatë viteve 1992-1999 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në qershor 2009, ai është ri-emëruar në detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku deri në 2012 ka ushtruar edhe funksionin e kryetarit të kësaj gjykate.

Në muajin korrik të vitit 2012, u dekretua nga Presidenti i Republikës, anëtar i Gjykatës së Lartë.

Aktualisht  ushtron profesionin e avokatit,

 

Albert Meça

Ka ushtruar funksionin e kryetarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për periudhën 03.02.2006 - 08.07.2009.

Ka përfunduar studimet universitare në vitet 1992–1996, pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë dhe mori titullin Jurist. Pas përfundimit të Shkollës të Magjistraturës, në vitet 1997–2000, mori titullin “Magjistrat”. Nga viti 1996–1997, ushtroi profesionin e avokatit. Më pas në vitin 1999, u emërua Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, pozicion në të cilin qëndroi deri në vitin 2000. Në vitin 2000, u emërua Gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Albert Meça mbajti pozicionin e Kryetarit të kësaj Gjykate, nga data 03 Shkurt 2006–08 korrik 2009. Gjithashtu nga viti 2007 – 2009, u emërua Zv.Kryetar i Konferencës Gjyqësore Kombëtare. Aktualisht, Albert Meça është gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Penale.

 

Sokol Como

Sokol Çomo

Ka ushtruar detyrën e gjyqtarit, dhe gjithashtu funksionin e Kryetarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në periudhën 27.04.2000 - 03.02.2006.

Aktualisht, kryen detyrën e anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që prej datës 17.06.2017. Sokol Çomo ka përfunduar studimet e larta universitare në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, në vitin 1994. Fillimisht, ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga kjo detyrë është shkëputur për një periudhë të shkurtër kohore për të ushtruar funksionin e zëvendësministrit pranë Ministrisë së Drejtësisë. Më pas, është rikthyer pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për të ushtruar funksionet si gjyqtar, zëvendëskryetar dhe më pas kryetar i kësaj gjykate. Z. Çomo ka ushtruar funksionin si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe detyra të tjera të lidhura me administrimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor. Prej shumë vitesh, është pedagog i jashtëm pranë Shkollës së Magjistraturës për lëndën “E drejta e Procedurës Civile”.

 

Pajtim Hoxha

Pajtim Hoxha

Ka ushtruar detyrën e gjyqtarit, dhe gjithashtu funksionin e Kryetarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në periudhën 21.03.1998 – 27.04.2000.

Pajtim Hoxha përfundoi studimet ne Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës në vitin 1968 dhe po në të njëjtin vit mori Gradën “Doktor i Shkencave”, pranë këtij Universiteti. Nga viti 1969 deri në vitin 1973 emërohet si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mirditë. Më pas, në vitin 1973, emërohet gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë, ku qëndroi deri në vitin 1977. Punoi si Inspektor në Drejtorinë e Organizim Kontrollit në Gjykatën e Lartë, nga viti 1977 deri në vitin 1990. Në vitin 1990 deri në vitin 1992, mbajti pozicionin e Drejtorit në Drejtorinë e Organizim Kontrollit në Ministrinë e Drejtësisë. Nga viti 1992 deri në vitin 1997, u angazhua në profesionin e avokatit. Në vitin 1997, emërohet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në pozicionin e Kryetarit të kësaj Gjykate, pozicion në të cilin qëndroi deri në vitin 2000. Nga viti 2000-2003, Pajtim Hoxha emërohet gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, deri në vitin 2003. Nga viti 2003 deri në vitin 2011, emërohet gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Pajtim Hoxha u angazhua gjthashtu në karrierën akademike. Nga viti 1983-1995, ishte Pedagog në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti i Ekonomisë. Gjithashtu nga viti 2010-2016 ishte Pedagog në Kolegjin Universitar “Wisdom”.

 

Qazim Gjonaj

Qazim Gjonaj

Ka ushtruar detyrën e gjyqtarit, dhe gjithashtu funksionin e Kryetarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në periudhën 16.04.1995-21.03.1998.

Qazim Gjonaj, përfundoi studimet Universitetin Shtetëror të Tiranës, Dega Drejtësi, në vitin 1979. Po në të njëjtin vit, u emërua gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Korçë. Në mars të vitit 1980, është caktuar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Tropojë, ku u emërua dhe mbajti pozicionin e Zv/ Kryetar të Gjykatës. Në Maj të vitit 1986, është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Dibër ku ka mbajtur dhe pozicionin e Kryetarit të kësaj Gjykate. Në Qershor të vitit 1991, është zgjedhur anëtar i Gjykatës së Lartë. Në vitin 1992 deri në vitin 1994 është emëruar gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Shkodër. Nga viti 1992 deri në vitin 1998, ka qënë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në vitin 1994 është emëruar Kryetar i Gjykatës së Apelit Ushtarak Tiranë. Në mars të vitit 1995, është emëruar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Kryetar i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, detyrë të cilën e ka kryer deri në tetor të vitit 1997. Nga muaji tetor 1997, deri në muajin mars 1998, ka mbajtur pozicionin e gjyqtarit pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë. Nga marsi i vitit 1998, dhe aktualisht ushtron profesionin e avokatit.

 

Agim Bendo

Agim Bendo

Ka ushtruar detyrën e gjyqtarit, dhe gjithashtu funksionin e Kryetarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në periudhën 18.05.1992-12.04.1995.

Agim Bendo përfundoi studimet në Fakultetin e Drejtësisë në vitit 1979.

Për periudhën 1977 deri në vitin1981 mbajti pozicionin e Këshilltarit Ligjor në Zyrën e Ndihmës Juridike në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Mirditë. 

Në vitin 1981 u emërua Gjykatës në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe qëndroi deri në vitin 1983.

Nga viti 1983 deri në vitin 1992 mbajti pozicionin e Specialistit në Kuvendin Popullor për Problemet Juridike.

Gjatë periudhës maj 1992 deri në vitin 1997, ka qënë i caktuar në cilësinë e Anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Në maj të vitit 1992, rikthehet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në pozicionin e Kryetarit të këtij institucioni deri në prillin e vitit 1995. Duke qëndruar në detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, deri në  muajin korrik 2013.

Në datën 17 Korrik 2013 deri në 6 shtator 2019, Agim Bendo ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Agim Bendo është angazhuar gjithashtu në karrierën Akademike dhe është autor i disa botimeve si: “Mbi Kontratën e Huasë” (1989), “Disa probleme teorike të rregullimeve Juridike të Kontratës së lirë” (1991), gjithashtu bashkëautor në librin për Fakultetin Juridik “E drejta e Detyrimeve” (Pjesa e Posaçme për Kontratën e Veçantë), në vitin 1991.

Gjithashtu, nga vitit 1983-2000 ka qënë Pedagog i Jashtëm në lëndën e të “Drejtës Civile” në Fakultetin Juridik dhe Ekonomik.

Zoti Agim Bendo ka marrë gradën shkencore “Doktor”, në bazë të vendimit Nr.351 datë 30.06.1993, të Këshillit të Ministrave.

 

Harallamb Kule

Ka ushtruar detyrën e gjyqtarit, dhe gjithashtu funksionin e Kryetarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Tiranë në periudhën 20.07.1991-18.05.1992.

 

 

 

Shefqet Muci

Shefqet Muçi

Ka ushtruar detyrën e gjyqtarit, dhe gjithashtu funksionin e Kryetarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Tiranë në periudhën 16.11.1990 - 30.06.1991.

Shefqet Muçi është diplomuar jurist në Fakultetin e Shkencave Politike – Juridike, Universiteti i Tiranës në vitin 1968 dhe ka punuar gjyqtar në Kukës.

Ka ushtruar funksionin e kryetarit të gjykatës në rrethet gjyqësore Tropojë, Shkodër e Tiranë.

Për 12 vjet ka qënë anëtar i Gjykatës së Lartë.

Në vitin 1982 i jepet grada “Kandidat i Shkencave”, ndërsa në vitin 1989 “Doktor i Shkencave”.

Në vitin 1991, ai ka kryer detyrën e Ministrit të Drejtësisë, në Qeverinë e Stabilitetit.

Më pas, Shefqet Muçi ka ushtruar profesionin e avokatit si dhe atë të kryetarit të Dhomës së Avokatëve të Tiranës.

Ai ka kryer gjithashtu, edhe detyrën e avokatit pranë Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit.

Ka qenë pedagog në Fakultetin Juridik dhe në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme; Zëvendës Dekan në Fakultetin e Drejtësisë “Luarasi”, Tiranë; Zëvendës rektor dhe rektor në ShLUJ “Wisdom”, Tiranë; Përgjegjës departamenti dhe pedagog i të Drejtës Penale në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë; Dekan i Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës, aktualisht pedagog në këtë universitet.

Shefqet Muçi është autor (dhe bashkëautor) i disa librave dhe botimeve shkencore në fushën e drejtësisië, si monografitë “Transferimi dhe largimi nga puna”, “Caktimi i dënimit penal”,  libri “E Drejta Penale (Pjesa e Përgjithshme)”; libri kujtime: “Në mes të urës”- Rrëfime nga jeta e një gjyqtari; … si dhe i një numri të madh artikujsh dhe intervitash në media.

 

Fehmi Abdiu

Fehmi Abdiu

Ka ushtruar detyrën e gjyqtarit, dhe gjithashtu funksionin e Kryetarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Tiranë në periudhën 1988–1990.

Pr. as.Dr. Fehmi Abdiu është lindur më 05.01.1944, në Dibër.

Pas shkollës së Mesme Pedagogjike në Peshkopi, ka mbaruar fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1966 dhe kursin e Lartë të Filozofisë në Tiranë në vitet 1975-1976.

Ka punuar si gjyqtar, zv/Kryetar dhe Kryetar në Gjykatën e Rrethit Fier nga viti 1968 deri në vitin 1985.

Në vitin 1985 është zgjedhur anëtar i Gjykatës së Lartë.

Ka punuar si Kryetar i Gjykatës së Rrethit Tiranë në vitet 1988 – 1989 dhe më pas, si zv/Kryetar i Gjykatës së Lartë deri në vitin 1992.

Në vitet 1991, 1992 dhe 1997,për tre legjislatura është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipwrisë, ku ka kryer edhe detyrën e Kryetarit të Komisionit për probleme kushtetuese e ligjore.

Për disa vite, ka qenë anëtar i Komisionit Parlamentar për pregatitjen e projekt Kushtetutës së Shqipërisë.

Ka botuar mjaft shkrime për probleme të legjislacionit e të politikës, ka marrë pjesë në konferenca e seminare të organizuara brenda e jashtë vendit, ku edhe ka referuar. 

Është autor i librave: “Politika sipas Kushtetutës dhe ligjeve”, “Vështrim mbi veprat penale kundër veprimtarisë shtetërore të kryera nga shtetasit”, “Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë” dhe “Padia Civile në procesin penal“.

Është titulluar Pr. as., Doktor i Shkencave në Drejtësi.

Nga muaji Prill i vitit 1998 është zgjedhur Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe në muajin Maj të vitit 2001 është riemëruar në atë detyrë, si dhe ka vazhduar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese deri në vitin 2010.

Është dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri i Artë”.

 

 

Viktor Ikonomi

Ka ushtruar detyrën e gjyqtarit, dhe gjithashtu funksionin e Kryetarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Tiranë në periudhën prej nëntorit 1975.

 

Aleks Varfi

Ka ushtruar detyrën e gjyqtarit, dhe gjithashtu funksionin e Kryetarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Tiranë përgjatë vitit 1975.

 

Irakli Bozo

 

Ka ushtruar detyrën e gjyqtarit, dhe gjithashtu funksionin e Kryetarit pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Tiranë deri në nëntor 1975.

 

Sotir Spiro

Ka ushtruar detyrën e gjyqtarit, dhe gjithashtu funksionin e Kryetarit pranë Gjykatës së Qarkut Tiranë për periudhën 1960-1964.

 

 

Shënim: Të dhënat dhe informacioni i mësipërm është gjithçka ka qënë e mundur të disponohet, të vëna në dispozicion nga vetë gjyqtarët si dhe nga të dhënat në arkiva. Të dhënat do të jenë të azhornueshme, duke u plotësuar me informacionin në vazhdim.