Nga Ligji për Organizimin e Drejtësisë në Republikën e Shqipërisë

NENI 5

Pushteti gjyqësor ushtrohet nga gjykatat e shkallës së parë, gjykatat e apelit dhe Gjykata e Lartë.

NENI 6

Gjykatat e shkallës së parë gjykojnë sipas rregullave të parashikuara në kodet e procedurave, ku përcaktohet edhe përbërja e trupit gjykues.

NENI 7

Gjykatat e apelit gjykojnë në shkallë të dytë ankimet kundër vendimeve të gjykatave të shkallës së parë. Gjykatat e apelit gjykojnë me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë.

NENI 8

Gjykatat ushtarake organizohen dhe funksionojnë brenda sistemit gjyqësor sipas kompetencave të përcaktuara me ligj.

NENI 9

Gjykatat ushtarake përbëhen nga gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit.

NENI 10

Gjykata ushtarake e apelit shqyrton në shkallë të dytë ankimet kundër vendimeve të gjykatave ushtarake të shkallës së parë. Ajo gjykon me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë.

NENI 11

Gjykatat e shkallës së parë organizohen dhe funksionojnë në rrethe gjyqësore në të gjithë territorin e vendit. Kompetencat tokësore dhe qendra e ushtrimit të veprimtarisë për secilën prej tyre caktohet me dekret të Presidentit të Republikës, me propozim të ministrit të Drejtësisë, pasi të jetë marrë edhe mendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjykatat e apelit funksionojnë në zona të caktuara nga Presidenti i Republikës, me propozim të ministrit të Drejtësisë, pasi të jetë marrë dhe mendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Me ligj mund të krijohen edhe gjykata të shkallës së parë apo të apelit për fusha të veçanta.

NENI 12

Numri i përgjithshëm i gjyqtarëve të të gjitha hallkave gjyqësore caktohet me dekret të Presidentit të Republikës, me propozim të ministrit të Drejtësisë, pasi të jetë marrë edhe mendimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

NENI 13

Gjykata e Lartë është autoriteti më i lartë gjyqësor, i cili ka juridiksion fillestar dhe rishikues. Gjykata e Lartë e ka qendrën në Tiranë. Organizimi dhe funksionet e Gjykatës së Lartë përcaktohen me ligj të veçantë të bazuar në Kushtetutë.

NENI 14

Në fillim të çdo viti, kryetari i gjykatës së apelit dhe kryetari i gjykatës së shkallës së parë, përcaktojnë për vitin në vazhdim shpërndarjen e gjyqtarëve në dhoma penale e civile të gjykatës. Në dhomën e çështjeve civile përfshihen edhe gjyqtarët e seksioneve për gjykimet e posaçme. Kur madhësia e gjykatës nuk lejon të organizohen të paktën një dhomë civile dhe një dhomë penale, ndarja e çështjeve bëhet midis të gjithë gjyqtarëve në mënyrë të barabartë. Në të gjitha gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit, kryesekretarët janë dhe administratorë, të cilët kryejnë detyra të ngjashme me ato të Kancelarit të Gjykatës së Lartë, si dhe administrojnë buxhetin e Gjykatës.

NENI 15

Ndarja e çështjeve gjyqësore në të gjitha hallkat e sistemit gjyqësor bëhet me short sipas procedurave të përcaktuara me ligj.

NENI 16

Vendimet gjyqësore mund të jenë objekt shqyrtimi vetëm mbi bazën e ankimeve ose rekurseve në rrugë gjyqësore, sipas përcaktimeve në kodet e procedurave ose në ligje të veçanta.

NENI 17

Pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë krijohet Inspektorati. Këshilli i Lartë i Drejtësisë emëron inspektorët, të cilët ngarkohen të inspektojnë gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit për të verifikuar ankesat e shtetasve dhe të institucioneve, organizimet e shërbimeve gjyqësore, të bëjnë evidentimin e aftësive profesionale të gjyqtarëve në kuptim të nenit 45 të këtij ligji, ngarkesën në punë dhe në tërësi efiçencën e gjykatave. Ministri i Drejtësisë vë në dispozicion të grupeve të inspektimit specialistët e Ministrisë së Drejtësisë për të ndihmuar në kryerjen e detyrave të mësipërme, me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me aftësitë profesionale të gjyqtarëve. Inspektorë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë emërohen juristë që plotësojnë kushtet për të qenë gjyqtarë apeli. Ata barazohen në pagë dhe në të drejta të tjera me gjyqtarët e apelit. Organizimi dhe funksioni i Inspektoratit pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë përcaktohet në Rregulloren e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

NENI 18

Pushteti gjyqësor ka buxhet të veçantë, i cili administrohet prej tij sipas përcaktimeve të parashikuara në ligj të veçantë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë është person juridik public dhe veprimtaria e tij financohet nga buxheti i shtetit si zë i veçantë.