Kreu V

    Objektivat socialë

Neni 59

Shteti, brenda kompetencave kushtetuese dhe mjeteve që disponon, si dhe në plotësim të nismës dhe të përgjegjësisë private, synon:

  1. punësimin në kushte të përshtatshme të të gjithë personave të aftë për punë;
  2. plotësimin e nevojave të shtetasve për strehim;
  3. standardin më të lartë shëndetësor, fizik e mendor, të mundshëm;
  4. arsimimin dhe kualifikimin sipas aftësive të fëmijëve dhe të të rinjve, si dhe të personave të pazënë me punë;
  5. një mjedis të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotëm dhe të ardhshëm;
  6. shfrytëzimin racional të pyjeve, ujërave, kullotave dhe burimeve të tjera natyrore mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm;
  7. përkujdesjen dhe ndihmën për të moshuarit, jetimët dhe invalidët;
  8. zhvillimin e sportit dhe të veprimtarive ripërtëritëse;
  9. riaftësimin shëndetësor, edukimin e specializuar dhe integrimin në shoqëri të të paaftëve, si dhe përmirësimin në vazhdimësi të kushteve të tyre të jetesës;
  10. mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare, kulturore dhe kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe.

Përmbushja e objektivave socialë nuk mund të kërkohet drejtpërdrejt në gjykatë. Ligji përcakton kushtet dhe masën në të cilat mund të kërkohet realizimi i këtyre objektivave.