Mirësevini në faqen e Gjykatës
së Shkallës së Parë të Juridiksionit
të Përgjithshëm Tiranë



Dita Kombëtare e Drejtësisë - 2019

Datë: 10.05.2019

Sot më datë 10 maj 2019, me rastin e “Ditës Kombëtare të Drejtësisë”, si çdo vit tashmë, Gjykata e Rrethi Gjyqësor Tiranë ka organizuar aktivitetin “Dita e hapur në Gjykatën e Tiranës”.

Në këtë aktivitet ishin pjesëmarrës nxënës nga shkolla e mesme të qytetit të Tiranës, për t’u njohur me aktivitetin profesional në funksion të dhënies së drejtësisë dhe të gjitha shërbimet që ofron ky institucion.
Në këtë ditë u prezantua në mënyrë të përmbledhur rëndësia e transparencës së gjykatës dhe punës së gjyqtarëve të saj si element i rëndësishëm i rritjes së besimit të publikut te kjo gjykatë, marrëdhëniet e gjykatës me palët si dhe implementimi me sukses i sistemit të regjistrimit audio në të gjitha sallat e gjykimit dhe rëndësia e tij si dhe rritjes së performancës dhe përgjegjshmërisë në punë të të gjithë gjyqtarëve dhe punonjësve të administratës të këtij institucioni.


Gjithashtu të pranishmit u njohën dhe me lehtësirat që ofron faqja e internetit e kësaj gjykate dhe sistemi elektronik i menaxhimit të çështjeve.


Edukimi i të rinjëve me ligjin na mëson se njerëzit kanë liri, të drejta dhe përgjegjësi sipas ligjit. Përfshirja e paketave informuese dhe programeve rreth edukimit ligjor në shkollë është një masë që zbut sjelljet negative dhe luan rol në parandalimin e të miturve për tu përfshirë në krime. Ky proces ndikon në përballjen e të rinjve me sfidat e përditshme të lëndëve narkotike, presionit të bashkëmoshatarëve, krimit dhe dhunës. Një rini e edukuar me ligjin përbën premisë për një shoqëri më të sigurt të së ardhmes me në qendër ligjin.